Projektet

Qendra ditore ‘‘Shpresa e Re’’

Qendra ditore ‘‘Shpresa e Re’’ është projekti kryesor i fondacionit ‘OAZ’

Qendra ditore “Shpresa e Re” është hapur në vitin 2008 dhe filloi aktivitetin zyrtarisht në 2011. Kjo qendër ofron shërbime të specializuara dhe terapi për fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara, duke synuar përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre. Është e vetmja qendër që ofron shërbime të tilla në zonat Mat dhe Klos. Qendra operon nga e hëna në të premte, duke ofruar transport pa pagesë, ushqim, dhe pajisje ndihmuese. Që nga hapja, mbi 400 fëmijë dhe të rinj kanë përfituar nga shërbimet e saj, ndërsa aktualisht 38 përfitues frekuentojnë çdo ditë. Secili prej tyre ndjek një program zhvillimi personal të përshtatur.

Më 11 tetor 2023, Fondacioni “OAZ” u nderua me Çmimin e Angazhimit Komunitar nga Ambasada Amerikane dhe Co-PLAN për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në Shqipëri.

Në vitin 2020, fondacioni u rendit ndër 15 më të mirët në Shqipëri për shërbimet e tij, nga Ambasada Zvicerane, Ministria e Shëndetësisë, UNDP dhe UNITED NATION ALBANIA.

Nëse ke një fëmijë me nevoja të veçanta apo nëse njeh dikë të tillë që jeton në zonën ku mund të arrijë të përfitojë nga shërbimet e qendrës «Shpresa e Re» ju mund të na kontaktoni menjëherë!

Ndërtim dhe riparim shtëpish

Prej vitit 1998 kur është ndërtuar shtëpia e parë e deri më sot janë ndërtuar më shumë se 40  shtëpi dhe janë riparuar dhjetëra të tjera. Shtëpitë e ndërtuara prej nesh janë ndërtuar kryesisht për familje me antarë me aftësi të kufizuara apo me probleme të mëdha sociale, të cilët para se tu ndërtohej shtëpia kanë qënë duke jetuar në kasolle, konteiner, tenda apo në ndonjë shtëpi që rrezikonte të shembej.

Paketa ushqimore

Përgjatë këtyre viteve shpërndarja e paketave ushqimore ka qënë dhe vazhdon të mbetet shumë e nevojshme, ndoshta më e nevojshme se çdo ndërhyrje tjetër.

Më shumë se 1426 familje jetojnë vetëm me ndihmën që mund të marrin nga qeveria nga 21-190 € për muaj varet nga numri i njerëzve që janë në familje. Shumica e këtyre njerëzve nuk kanë ndonjë qëllim në jetë përvecse të shtyjnë ditët deri në ditën e fundit. 

‘‘Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët, isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë’’ Mateu 25:35-36

Mbledhja dhe shpërndarja e ndihmave humanitare

Që nga fillimi, fondacioni ka shpërndarë ndihma humanitare, si veshmbathje, këpucë, batanije, orendi shtëpiake, ushqime, karrige me rrota dhe pajisje për personat me aftësi të kufizuara. Çdo vit janë ndihmuar 200-300 familje të varfra, bazuar në listat e përfituesve të përzgjedhura nga njësitë administrative të bashkive Mat dhe Klos.

Vejushat dhe jetimët

Çdo vejushë merr 50 CHF në muaj dhe herë pas herë marrin edhe paketa me ndihmat humanitare që përmbajnë veshmbathje, këpucë dhe materiale të tjera për shtëpi (enë kuzhine, jorgane, çorçafë etj)  sipas nevojës.

…të vizitosh jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre… Jakobi 1:27

Përgjatë viteve janë ndihmuar rreth 200 vejusha dhe ndihma ka vazhduar deri sa fëmijët kanë arritur moshën madhore.

Kisha

Aktualisht kisha ka 20 – 40 persona të rritur që frekuentojnë takime të ndryshme dhe deri në 60 fëmijë në takimin e fëmijeve.

Askush nga përfituesit e shërbimeve apo produkteve që ofron fondacioni nuk është i detyruar që të frekuentojë kishën, por të gjithë janë të ftuar të na bashkohen nëse dëshirojnë.